Skip to main content

HYRJA E KRYENGRITËSVE SHQIPTARË NË SHKUP


Përkujtesë historike: 12 gusht 1912


Shkruan Jusuf Buxhovi 

Kryengritja shqiptare e verës së vitit 1912 e drejtuar nga Hasan Prishtina, mbas luftimeve të vazhdueshme në pjesën më të madhe të vilajetit të Kosovës, me ç’rast një nga një nga kryengritësit u morën Prizreni, Gjakova, Peja, Ferizaj dhe së fundi Prishtina, detyroi Perandorinë Osmane që të niste bisedimet me  udhëheqësit shqiptarë të kryengritjes. Bisedimet e filluara në  Prishtinë dhe mandej të bartura në Shkup midis Hasan Prishtinës dhe gjeneralit Ibrahim Pasha (me origjinë shqiptare) zgjatën disa ditë dhe kishte rrezik që nga zvarritja të shpërqendronin radhët e kryengritësve shqiptarë. Hasan Prishtina dhe liderët tjerë shqiptarë morën vendim që për ta sjellë  Ibrahim Pashën para aktit të kryer, të marshojnë në Shkup. Më 11 gusht filloi depërtimi i kryengritësve shqiptarë nga disa drejtime me ç’rasat disa mija kryengritës të nesërmen hynë në Shkup. Me këtë rast njësitë ushtarake osmane u futën në kazermat e Shkupit si edhe ato përreth (në Tetovë dhe Kumanovë), ndërsa kryengritësit u pritën me entuziazëm nga shkupjanët. Nga 12 shkurti deri më 19 shkurt, kur do të nënshkruhet marrëveshja e quajtur Katëmbëdhjetë pikëshi i Hasan Prishtinës me gjeneralin Ibrahim Pasha, kryengritësit shqiptarë mbikëqyrnin Shkupin. Liruan të burgosit dhe u përkujdesën për rregullin dhe qetësinë në qytet dhe rrethinë, por nuk organizuan administratën autonome të përcjellë edhe me pushtetin vendor. Futja e kryengritësve shqiptarë në Shkup solli lëvizje dramatike në Stamboll, ngaqë Sulltani shpërndau parlamentin të dominuar nga xhonturqit, që dalloheshin për politikë antishqiptare, ndërsa të nesërmen rrëzoi edhe qeverinë xhonturke, e cila u zëvendësua nga një e pavarur e drejtuar nga Gazi Myftar Pasha (përndryshe ithtarë i një marrëveshjeje me shqiptarët për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, siç kërkohej nga kryengritësit).

Me gjithë ndikimin që pati futja e kryengritësve shqiptarë në  Shkup (sipas vlerësimeve të huaja rreth gjashtë mijë, ndërsa sipas disa historianëve tridhjetë mijë) për kahun e bisedimeve që përfunduan me marrëveshjen  e 19 gushtit, si e arritur e madhe ushtarake, që mund të quhet edhe historike,  mbeti pa epilogun e duhur politik (krijimin e vilajetit autonom shqiptar ose shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë), ngaqë liderët e kryengritjes  shqiptare nuk ia dolën që të pajtoheshin mes veti se fitoret në planin ushtarak në vilajetin e Kosovës dhe veçmas futja e kryengritësve në kryeqendrën e vilajetit, në Shkup, të përcilleshin me ngritjen e institucioneve autonome (administratës) dhe të pushtetit vendor në to në nivel të vilajetit me çka Perandoria Osmane, për të neutralizuar shpalljen eventuale të shtetit të pavarur shqiptar në Shkup, do të detyrohej që të pranonte kërkesat e kryengritësve për vilajetin shqiptar nga katër sosh, që praktikisht krijonte të ashtuquajturën Shqipëri Osmane, si fazë kalimtare për shtetin shqiptar në rrethanat e tërheqjes së Perandorisë Osmane nga pjesa evropiane.

Nga këndvështrimi historik, depërtimi i  kryengritësve shqiptarë në Shkup, vënia nën mbikëqyrje si dhe tërheqja e asqerit osman në kazerma,  mund të konsiderohet depërtim për trysni politike, por jo edhe çlirim, ngaqë nuk u përcoll as me rrëzimin e pushtetit  osman e as me ngritjen e institucioneve autonome në të gjitha nivelet.

Kjo sjellje do të përsëritet edhe në verën e vitit 2001, kur njësitë e UÇK-së, për tre muaj bënë një luftë tejet të suksesshme (vunë nën mbikëqyrje pjesën më të madhe të etnisë shqiptare në Maqedoni), madje edhe rrethuan Shkupin dhe hynë në një pjesë të tij (Haraqinë), por nuk ndërtuan institucionet në viset e çliruara. Kjo edhe solli te marrëveshja e Ohrit, ku kapitali ushtarak, u shpenzua për qëllime politike, të cilat nuk ishin në përputhje me kërkesat që u proklamuan me fillimin e saj: Maqedonia federate (me dy njësi: atë shqiptare dhe maqedone) si dhe arritja e statusit të popullit shtetformues, pra të barabartë!

Comments

Popular posts from this blog

BREZAT E KRIJUESVE LETRARË

  Brezat e krijuesve letrar shënojnë produktivitetin dhe, pa dyshim, kualitetin letrar të krijuesve të shprehur përgjatë një periudhë kohore. Me këtë nuk synohet të emërohet etapa historike e letërsisë, e as letërsia sipas stileve estetike, por thjesht, një brez i tërë krijuesish që përfaqëson një periudhë të caktuar! A kanë shqiptarët breza krijuesish? Pa dyshim që po! Sidomos krijuesit shqiptarë të Kosovës Brezi krijues i periudhës së Rilindjes Kombëtare, nisur prej De Radës, Gavrill Darës, Çajupit, Serembes, Naim Frashërit, Migjeni e deri te Gjergj Fisha e për ta përmbyllur me Esad Mekulin, është brez që i ka vënë bazat e krijimtarisë letrare shqiptare. Periudha e kësaj krijimtarie letrare deskriptive ndjehet edhe më vonë, duke ua ofruar mundësitë e etablimit letrar krijuesve që do të shquhen si individë. Do të jetë letërsia e partizanëve, socrealiste, letërsi që do të shkruhet sipas shablloneve të sistemit totalitar dhe, si rrjedhojë, do të kemi një duzinë shkrimtarësh që do ta...

KOHË AMATORIZMI NË LETËRSI

Për HEJZA-n flet Puntorie Muça-Ziba, shkrimtare Puntorie Muça-Ziba u lind në Strugë në vitin 1954. Shkollën fillore e kreu në Veleshtë, të mesmen në Strugë, kurse Akademinë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Shkup. Deri më tani ka botuar poezi për të rritur: “Rruga e mjellmës”-1987, “Sodisin yjet”-1990, “Kuku”-1977, “Rapsodi udhëtarësh”-1995, “Suita e lënduar”-2002“Suita ime”,“Vega”- 2006, “Koha e qershive”- 2018. Poezi për fëmijë: “Yllkat bisedojnë me meteorë”-1994, “Xixëllonjat luajnë valle natën”-2007, Pjesë dramatike për fëmijë: “Aventurat e princit Ujkan”-1999. Tregime për të rritur: “Shtatë vjet pritje”-1974, “Te logu i cucës”-1998, “Mjedra e egër në malin e thatë”-2003. Pjesë dramatike për të rritur: “Motrat me shirit të kuq”- e inskenuar në Shkup dhe në Teatrin Kombëtar, Tiranë 1993 -1994. “Dorotea” e botuar- 1998, “Udha e ikjes” – fitoi çmimin e tretë në konkursin “Buzuku” e botuar -2007, “Nuk martohem kësaj vere”-1999, “Zonja me celular”, monodramë, e botuar në rev...

SASIA KURRSESI NUK ËSHTË CILËSI

Për HEJZA-n flet Andreas Dushi, shkrimtar Andreas Dushi prej disa kohësh është i pranishëm në median e shkruar me artikuj letrarë dhe kulturorë. Ka botuar vëllimin poetik "Krishti vesh me t'kuqe", novelën "Kur vdekja të na bashkojë", romanin "Marrja e gjakut", si dhe shumë tregime e poezi në revista, gazeta dhe antologji të ndryshme HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi? DUSHI: Nuk e kuptoj pse shkruajnë është futur brenda thonjëzave. Shkrimi në vetvete është një proces kompleks i cili, sigurisht nuk lidhet veç me shkrimtarët, fjalë që, po të ishte në thonjëza, do ta kuptoja arsyen. Por, përtej këtij sqarimi të nevojshëm në optikën time, besoj se e kam kuptuar çfarë synoni të më pyesni.  Në letërsi, ashtu sikurse kudo përtej leninizmit ku forma dhe përmbajtja duhet ta justifikonin njëri – tjetrin, sasia kurrsesi nuk është cilësi. Prandaj, sikur të synojmë vendosjen e ndonjë ...