Skip to main content

Vjosa Osmani duket se ka siguruar votat e mjaftueshme për presidente


Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Vjosa Osmani duket se tani i ka siguruar votat e mjaftueshme për t'u zgjedhur presidente. Ndonëse akoma nuk është caktuar data e mbajtjes së seancës parlamentare kur do të zgjidhet presidenti, si duket pretendentja për këtë post Vjosa Osmani, ka siguruar numrin e mjaftueshëm të pjesëmarjes së deputetëve në këtë seancë. Kjo për faktin që Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, me kryetarin e ri të saj Lumir Abdixhiku, vendosën që të marrin pjesë në seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit.



Kryetari i LDK-së pas një takimi të kryesisë së partisë tha se partia që ai drejton "nuk do të paraqesë pengesa dhe do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues për të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit”, kurdo që mbahet seanca.

"Pas një diskutimi të hapur, shterues në argumente e gjithëpërfshirës, të gjithë, bashkarisht, kemi marrë vendim që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit. Që LDK, si gjithëherë, do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues, e të marrë pjesë në votim për presidentin e vendit. Ky pra është vendimi i kryesisë i votuar me shumicë absolute të anëtarëve të saj”, shkroi Abdixhiku në facebook. Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës duhet të ndodhë më së largu deri më 5 maj kur dhe skadon afati gjashtëmujor i ushtruesit të detyrës së presidentit. Lëvizja Vetëvendosje që në zgjedhjet e 14 shkurtit doli partia e parë ka siguruar 58 deputetë, ndërsa ka kandiduar zonjën Vjosa Osmani për presidente.

Votat e Vetëvendosjes së bashku me votat e pakicave jo serbe dhe 15 votat e LDK-së, mund t'ia sigurojnë zonjës Osmani kuorumin e mjaftueshëm përtej 80 deputetësh në mënyrë që ajo të zgjidhet presidente. Sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në sallë duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë. Dy partitë tjera shqiptare që tashmë janë në opozitë Partia Demokratike e Kosovës PDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, janë deklaruar se nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente. Udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, (PDK) thotë se partia e tij është konsultuar për çështjen e presidentit dhe nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin. Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj thotë se partia e tij nuk dëshiron që "pushteti të koncentrohej në një parti të vetme”, prandaj në këtë mënyrë ai lë të kuptohet se nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente.

Të shmangen mundësitë e zgjedhjeve të reja

Ndërkohë, shumica nga përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kosovë kanë shprehur mbështetjen e tyre për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. E përfaqësuesit e Listës Srpska, nuk kanë thënë qartë nëse do ta votojnë presidentin e ri. Dështimi eventual i zgjedhjes së presidentit të Kosovës, automatikisht e çon vendin në zgjedhje të reja. Prania ndërkombëtare në Kosovë u ka bërë thirrje partive politike që të shmangin mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara QUINT-it ditë më parë i kërkuan partive politike, atyre në pushtet dhe opozitë që të punojnë për prioritetet e përbashkëta, duke theksuar qartë se detyrë e parë është zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës.

"Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës urojnë qeverinë e re dhe Kuvendin dhe i nxitin të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive. Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën. Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t'i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e Presidentit të ri”, thuhej në deklaratën e përbashkët të QUINT.

Që nga 5 nëntori i vitit të shkuar, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pas dorëheqjes së Hashim Thaҫit i cili u akuzua për krime lufte nga Gjykata Speciale. Kompetencat e presidentit të Kosovës me ushtrues detyre mund të zgjasin vetëm gjashtë muaj, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri.

Bekim Shehu, DW

Comments

Popular posts from this blog

BREZAT E KRIJUESVE LETRARË

  Brezat e krijuesve letrar shënojnë produktivitetin dhe, pa dyshim, kualitetin letrar të krijuesve të shprehur përgjatë një periudhë kohore. Me këtë nuk synohet të emërohet etapa historike e letërsisë, e as letërsia sipas stileve estetike, por thjesht, një brez i tërë krijuesish që përfaqëson një periudhë të caktuar! A kanë shqiptarët breza krijuesish? Pa dyshim që po! Sidomos krijuesit shqiptarë të Kosovës Brezi krijues i periudhës së Rilindjes Kombëtare, nisur prej De Radës, Gavrill Darës, Çajupit, Serembes, Naim Frashërit, Migjeni e deri te Gjergj Fisha e për ta përmbyllur me Esad Mekulin, është brez që i ka vënë bazat e krijimtarisë letrare shqiptare. Periudha e kësaj krijimtarie letrare deskriptive ndjehet edhe më vonë, duke ua ofruar mundësitë e etablimit letrar krijuesve që do të shquhen si individë. Do të jetë letërsia e partizanëve, socrealiste, letërsi që do të shkruhet sipas shablloneve të sistemit totalitar dhe, si rrjedhojë, do të kemi një duzinë shkrimtarësh që do ta...

KOHË AMATORIZMI NË LETËRSI

Për HEJZA-n flet Puntorie Muça-Ziba, shkrimtare Puntorie Muça-Ziba u lind në Strugë në vitin 1954. Shkollën fillore e kreu në Veleshtë, të mesmen në Strugë, kurse Akademinë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Shkup. Deri më tani ka botuar poezi për të rritur: “Rruga e mjellmës”-1987, “Sodisin yjet”-1990, “Kuku”-1977, “Rapsodi udhëtarësh”-1995, “Suita e lënduar”-2002“Suita ime”,“Vega”- 2006, “Koha e qershive”- 2018. Poezi për fëmijë: “Yllkat bisedojnë me meteorë”-1994, “Xixëllonjat luajnë valle natën”-2007, Pjesë dramatike për fëmijë: “Aventurat e princit Ujkan”-1999. Tregime për të rritur: “Shtatë vjet pritje”-1974, “Te logu i cucës”-1998, “Mjedra e egër në malin e thatë”-2003. Pjesë dramatike për të rritur: “Motrat me shirit të kuq”- e inskenuar në Shkup dhe në Teatrin Kombëtar, Tiranë 1993 -1994. “Dorotea” e botuar- 1998, “Udha e ikjes” – fitoi çmimin e tretë në konkursin “Buzuku” e botuar -2007, “Nuk martohem kësaj vere”-1999, “Zonja me celular”, monodramë, e botuar në rev...

SASIA KURRSESI NUK ËSHTË CILËSI

Për HEJZA-n flet Andreas Dushi, shkrimtar Andreas Dushi prej disa kohësh është i pranishëm në median e shkruar me artikuj letrarë dhe kulturorë. Ka botuar vëllimin poetik "Krishti vesh me t'kuqe", novelën "Kur vdekja të na bashkojë", romanin "Marrja e gjakut", si dhe shumë tregime e poezi në revista, gazeta dhe antologji të ndryshme HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi? DUSHI: Nuk e kuptoj pse shkruajnë është futur brenda thonjëzave. Shkrimi në vetvete është një proces kompleks i cili, sigurisht nuk lidhet veç me shkrimtarët, fjalë që, po të ishte në thonjëza, do ta kuptoja arsyen. Por, përtej këtij sqarimi të nevojshëm në optikën time, besoj se e kam kuptuar çfarë synoni të më pyesni.  Në letërsi, ashtu sikurse kudo përtej leninizmit ku forma dhe përmbajtja duhet ta justifikonin njëri – tjetrin, sasia kurrsesi nuk është cilësi. Prandaj, sikur të synojmë vendosjen e ndonjë ...