Skip to main content

Kuvendi nuk arriti të anulojë regjistrimin


Kuvendi nuk arriti të mbajë seancë për anulimin e regjistrimit të popullsisë, për ç‘gjë ishin marrë vesh liderët e dy partive politike maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski. Dy të fundit kanë thënë se regjistrimi duhet të shtyhet për shkak të situatës së rënduar me pandeminë e koronavirusit.

“Përkundër këmbënguljes sime gjatë ditës së mërkurë për harmonizimin e qëndrimeve të të gjitha partive politike, për arritjen e marrëveshjes dhe mbajtjen e dy seancave, në të cilat do të votoheshin propozim-ligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në vitin 2021 dhe propozim-ligji për vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës, që skadon sonte [e mërkurë] në ora 24:00, nuk u arrit marrëveshje”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Në mbledhjen me drejtuesit e grupeve parlamentare, siç bëri të ditur Xhaferi, të gjitha partitë, përveç Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, kanë shprehur gatishmëri për mbajtjen e seancës.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që janë në opozitë, të martën kanë deklaruar se do të bllokojnë miratimin e ligjit për shtyrjen e regjistrimit.

Mosmiratimi i ligjit, ndërkohë, ka lënë pezull regjistrimin e popullsisë që duhet të nisë sot, më 1 prill.
Nga Enti Shtetëror i Statistikës kanë fajësuar partitë politike për gjendjen e krijuar, duke thënë se ato, pa konsultim me Entin, kanë nisur procedurën për anulimin e regjistrimit.

Nga Enti kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi nuk do të fillojë, meqë, siç është thënë, “një proces i tillë më tepër do të ishte improvizim sesa regjistrim, duke e ditur se partitë, të enjten apo të premten, do të miratojnë ligjin për shtyrje të regjistrimit”.
Por, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiç, ka thënë të mërkurën se regjistrimi, sipas ligjit aktual, duhet të fillojë më 1 prill.

Ndryshe nga ai është shprehur kryeministri Zoran Zaev.

Sipas tij, edhe pse më 1 prill ligjërisht fillon regjistrimi, nuk ka logjikë që Enti i Statistikës të fillojë zbatimin.

“Është dërguar një mesazh i qartë se një shumicë më e madhe, madje më e madhe se 2/3 ka qëndrim për shtyrje të regjistrimit për 5-30 shtator. Në këtë rast nuk ka arsyetim logjik që dikush të firmosë për nisjen e regjistrimit… Kemi shumicë të dyfishtë, kemi edhe më shumë se 2/3 e votave, edhe pse ligji miratohet më shumicë të thjeshtë”, ka deklaruar Zaev.

Opozita shqiptare thotë se mbetet në qëndrimin për të parandaluar anulimin e regjistrimit.

“Ne do të përdorim Badenterin (mekanizëm për mbrojtjen e pakicave nga mbivotimi apo votimi i dyfishtë) për një çështje, që të vetëdijesohen deputetët shqiptarë që janë në Kuvend, se nuk guxojmë të lejojmë që dikush ta marrë me tallje procesin e regjistrimit dhe duke kamufluar me sigurinë epidemike shëndetësore, të sjellë vendime politike”, ka deklaruar Skënder Rexhepi, kryetar i grupit parlamentar të opozitës shqiptare.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka nisur më 1 mars me regjistrimin e diasporës. Procesi ka mobilizuar partitë shqiptare që t’i bëjnë thirrje diasporës që të përfshihet në regjistrim, për të rritur edhe më shumë numrin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është mbajtur në vitin 2002. Në bazë të tij, shqiptarët përbejnë 25.17 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.

Maqedonia e Veriut ka bërë një përpjekje për regjistrim të popullsisë në vitin 2011, por ky proces është ndërprerë disa ditë para përfundimit.

Edhe atëherë, përplasjet mes partive kishin të bënin me regjistrimin e diasporës./REL

Comments

Popular posts from this blog

BREZAT E KRIJUESVE LETRARË

  Brezat e krijuesve letrar shënojnë produktivitetin dhe, pa dyshim, kualitetin letrar të krijuesve të shprehur përgjatë një periudhë kohore. Me këtë nuk synohet të emërohet etapa historike e letërsisë, e as letërsia sipas stileve estetike, por thjesht, një brez i tërë krijuesish që përfaqëson një periudhë të caktuar! A kanë shqiptarët breza krijuesish? Pa dyshim që po! Sidomos krijuesit shqiptarë të Kosovës Brezi krijues i periudhës së Rilindjes Kombëtare, nisur prej De Radës, Gavrill Darës, Çajupit, Serembes, Naim Frashërit, Migjeni e deri te Gjergj Fisha e për ta përmbyllur me Esad Mekulin, është brez që i ka vënë bazat e krijimtarisë letrare shqiptare. Periudha e kësaj krijimtarie letrare deskriptive ndjehet edhe më vonë, duke ua ofruar mundësitë e etablimit letrar krijuesve që do të shquhen si individë. Do të jetë letërsia e partizanëve, socrealiste, letërsi që do të shkruhet sipas shablloneve të sistemit totalitar dhe, si rrjedhojë, do të kemi një duzinë shkrimtarësh që do ta...

KOHË AMATORIZMI NË LETËRSI

Për HEJZA-n flet Puntorie Muça-Ziba, shkrimtare Puntorie Muça-Ziba u lind në Strugë në vitin 1954. Shkollën fillore e kreu në Veleshtë, të mesmen në Strugë, kurse Akademinë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Shkup. Deri më tani ka botuar poezi për të rritur: “Rruga e mjellmës”-1987, “Sodisin yjet”-1990, “Kuku”-1977, “Rapsodi udhëtarësh”-1995, “Suita e lënduar”-2002“Suita ime”,“Vega”- 2006, “Koha e qershive”- 2018. Poezi për fëmijë: “Yllkat bisedojnë me meteorë”-1994, “Xixëllonjat luajnë valle natën”-2007, Pjesë dramatike për fëmijë: “Aventurat e princit Ujkan”-1999. Tregime për të rritur: “Shtatë vjet pritje”-1974, “Te logu i cucës”-1998, “Mjedra e egër në malin e thatë”-2003. Pjesë dramatike për të rritur: “Motrat me shirit të kuq”- e inskenuar në Shkup dhe në Teatrin Kombëtar, Tiranë 1993 -1994. “Dorotea” e botuar- 1998, “Udha e ikjes” – fitoi çmimin e tretë në konkursin “Buzuku” e botuar -2007, “Nuk martohem kësaj vere”-1999, “Zonja me celular”, monodramë, e botuar në rev...

SASIA KURRSESI NUK ËSHTË CILËSI

Për HEJZA-n flet Andreas Dushi, shkrimtar Andreas Dushi prej disa kohësh është i pranishëm në median e shkruar me artikuj letrarë dhe kulturorë. Ka botuar vëllimin poetik "Krishti vesh me t'kuqe", novelën "Kur vdekja të na bashkojë", romanin "Marrja e gjakut", si dhe shumë tregime e poezi në revista, gazeta dhe antologji të ndryshme HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi? DUSHI: Nuk e kuptoj pse shkruajnë është futur brenda thonjëzave. Shkrimi në vetvete është një proces kompleks i cili, sigurisht nuk lidhet veç me shkrimtarët, fjalë që, po të ishte në thonjëza, do ta kuptoja arsyen. Por, përtej këtij sqarimi të nevojshëm në optikën time, besoj se e kam kuptuar çfarë synoni të më pyesni.  Në letërsi, ashtu sikurse kudo përtej leninizmit ku forma dhe përmbajtja duhet ta justifikonin njëri – tjetrin, sasia kurrsesi nuk është cilësi. Prandaj, sikur të synojmë vendosjen e ndonjë ...